Një sfidë nga ato që mund të vendosin një sezon, ose që mund të “farkëtojnë” një ekip të destinuar për tituj. E tillë fitorja e Milanit në fushën e Lacios, aspak e lehtë (përkundrazi), por e merituar për karakterin që tregoi skuadra e trajnerit Stefano Pioli. i goditur që në fillim nga Çiro Imobile, ekipi milanez ruajti qetësinë dhe përqëndrimin duke ia arritur qëllimit fare në fund. Nëse Interi mund të jetë ekipi më i fortë në Itali, Milani nuk mbetet aspak prapa, pavarësisht humbjes 0-3 në derbi.
Reagimi pas asaj disfate të Kupës ishte prej ekipi kampion dhe nëse titulli nuk fitohet këtë sezon, padyshim që mund të arrihet shpejt në të ardhmen. i tillë është futbolli. Në “Olimpiko”, i diktuar edhe nga rezultati, Milani bëri më shumë: 15-6 gjuajtjet, 8-4 ato në portë dhe 8-2 kornet. Rikthimi i Zllatan Ibrahimoviçit ishte siç duhet, si ai i një kampioni, ndërsa Olivie Zhiru e shënoi edhe një tjetër gol “të rëndë”. Në fund, fitoren e siguroi Sandro Tonali, ai që u vlerësua si më i miri në fushë. E pra, u përballua eliminimi në Kupë si dhe presioni i madh pasi Interi mundi 3-1 Romën. Milani ka 74 pikë ndaj 72 të zikaltërve, ndonëse këta të fundit kanë një ndeshje më shumë për të luajtur.
Sfidanti.al