Mbyllja ishte po aq e bukur sa edhe fitorja. Tajson Fjuri shfaqi edhe një herë talentin e tij të madh si argëtues duke kënaqur mbi 94 000 spektatorët në stadiumin “Uembli” të Londrës me një këngë amerikane që e ka për zemër. Mund të jetë ndoshta emocioni i fundit që publiku merr nga një boksier kaq i veçantë. Anglezi 34-vjeçar zhvilloi ndoshta ndeshjen përmbyllëse të karrierës së tij të gjatë, atë të mbyllur me fitore ndaj Dilian Uajtit, duke mbrojtur titullin botëror në peshat e rënda profesioniste në versionin WBC. Nokauti i raundit të 6-të ishte epilogu i një lufte të njëanshme ku Fjuri dominoi nga fillimi deri në fund. Më pas, ndërsa kremtoi fitoren me njerëzit e tij të afërt dhe stafin teknik, kampioni u shpreh qartë në konferencën për shtyp.
“Unë deklaroi se e kam mbyllur me boksin, – tha ai, – i kisha premtuar gruas sime se kjo do të ishte ndeshja e fundit. Nuk kam asgjë tjetër për të provuar. i fitova të gjitha brezat e artë dhe të gjitha çmimet në këtë sport. Natyrisht, unë nuk përjashtoj ndeshje ekzibicioniste. Frensis Nganu është në listën time”. Kampioni i arteve të përziera marciale ishte i pranishëm në “Uembli” dhe e pranoi sfidën. “Unë jam në gjendje të hedh nokaut dhe të mund këdo, – tha Nganu, – natyrisht, që nuk do të ishte një duel i lehtë. Unë jam sërish në formë. Ne kemi folur disa herë për këtë vitet e kaluara dhe mund ta kemi një ndeshje”. Tajson Fjuri tërhiqet si i dyti kampion i botës në peshat e rënda në histori pa asnjë humbje, pas Roki Marçianos.
Sfidanti.al