Inkasit në finale pas 44 vitesh, mrekullia nuk quhet Kili

Do të jetë një finale krej e pazakonte ajo në stadiumin “Marakana” të Rio de Zhaneiros. Brazili nuk do të ketë përballë kampionen në fuqi të Kupës së Amerikës, Kilin, por surprizën e madhe me emrin Peru. Skuadra e mbiquajtur “Inkasit”, pra që mban emrin e vjetër dhe të nderuar të banorëve të kontinentit, e eleminoi pa mëshirë dhe pa mëdyshje skuadrën kilene. Rezultati 3-0 nuk besohet se lë vend për koment.

Kjo do të thotë finale për peruvianët pas 44 vitesh! Edison Flores, Joshimar Jotun dhe Paolo Gerrero ishin autorët e golave ndaj Kilit që cilësohej si favorit. Skuadra kilene dëshironte të barazonte rekordin e trofeve radhazi, me 3 të tillë, gjë që e ka bërë vetëm Argjentina e Morenos, Pedernerës, Pontonit, Labrunës apo Di Stefanos (herën e fundit). Aleksis Sançez e Arturo Vidal me shokë këtë herë nuk ia dolën.

Peruja nuk do të jetë favorite ndaj Brazilit vendas, por gjithsesi është një skuadër me histori, pasi ka dalë dy herë kampione e Amerikës së Jugut, në 1939 e 1975, ndërsa ka qenë 14 herë në gjysmëfinale.

Sfidanti.al