Të dy janë shokë në kombëtare, siç e tregon edhe fotoja. Xhoshua Kimih e Leroi Sane e njohin mirë njëri-tjetrin, pasi kanë luajtur edhe në ekipet zinxhir të Gjermanisë, ndërsa shpresa e mbrojtësit është që sulmuesi i krahut të bashkohet me të, tek Bajerni. Kimih mendon se bavarezët kanë një shans të mirë për ta marrë lojtarin e Mançester Sitit, dhe ky shans ka të bëjë me Ligën e Kampionëve.
“Çdo lojtar i nivelit të lartë dëshiron të fitojë Championsin, – u shpreh ai, cituar nga revista “Sport Bild”, – ne, tek Bajerni, duhet të mësohemi të shkojmë në gjysmëfinale e në finale, ashtu si brezi para nesh. Edhe Sane do të vinte tek Bajerni, nëse do të kuptonte se këtu do të kishte më shumë shanse për të fituar trofeun e madh”.
Sane ndodhet tek Mançester Siti me Pep Guardiolën dhe, besohet, është më i lumtur të luajë në Premier Ligë sesa në Bundesligë, për shkak të konkurrencës më të madhe. Gjithsesi, Bajerni sipas traditës i jep më shumë shanse për Championsin sesa Siti, aq më tepër që klubi anglez edhe mund të përjashtohet i akuzuar për shkelje të rregullave financiare të UEFA-s.
Sfidanti.al