Hysaj titullar dhe në rolin e pëlqyer, por a do ta rinovojë kontratën në Napoli?!

Një aktivizim në formacion është një vlerësim, por edhe një mesazh. Elseid Hysaj e ka ditur gjithnjë se në një sezon të gjatë e të vështirë do të ketë vend edhe për të, ndërsa trajneri Xhenaro Gatuzo shprehu edhe një herë besimin e tij tek shqiptari. Pasi ishte titullar edhe në ndeshjen e kaluar të Serisë A në fushën e Udinezes, lojtari i kombëtares hodhi një hap më shumë ndaj Fiorentinës, duke luajtur në pozicionin e tij natyral, si mbrojtës i djathtë.

Gjithsesi, nuk dihet nëse kjo gjë do ta mbajë Hysajn tek Napoli, apo ai do të largohet pse jo që tani në janar. Kontrata i përfundon në fund të sezonit, një situatë delikate dhe aspak e pëlqyeshme për 26-vjeçari. Sidoqoftë, Gatuzo e ka në planet e tij dhe në 18 ndeshje të Serisë A këtë edicion, ai ka luajtur 8 herë titullar, 5 herë në stol, ndërsa 4 ndeshje i ka humbur për shkak të koronavirusit.

Me Hysajn në fushë, napolitanët e fituan 6-0 sfidën e Serisë A në stadiumin “Maradona”. Dy gola u shënuan nga kapiteni Lorenco Insinje, njëri prej tyre me penallti, ndërsa nga një rrjetë realizuan Deme, Lozano, Zielinski dhe Politano. Napoli ka 34 pikë në 17 ndeshje të luajtura, duke qenë pranë kreut të renditjes, dhe i ka të gjitha mundësitë të luftojë për titullin kampion, apo minimalisht të kualifikohet sërish në Champions sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al