Kanë kaluar gati tre vjet e gjysmë që kur ia doli për herë të fundit. Një fitore e Interit ndaj Juventusi daton që nga shtatori 2016, kur në stol ishte Frank De Bur, dhe ai sukses është i vetmi për zikaltërit që nga epoka e Zhoze Murinjos 10 vjet më parë. A mundet sot, skuadra milaneze e drejtuar nga një karakter i fortë si trajneri Antonio Konte, të ketë forcën psikologjike për këtë kaluar këtë ngërç?
Sezonin e kaluar, nuk ia doli dot duke i humbur të dyja ndeshjet e duke mbetur inferiore pavarësisht se në fund të Serisë A diferenca në pikë ishte vetëm 1. Vetë Konte e ka cilësuar Juventusin si një “rrokaqiell”, një ndërtesë qtë lartë e të vështirë për t’u ngjitur deri në majë, ndërsa në prag të duelit të sotëm në “San Siro” në 20:45 u përpoq të largonte presionin nga futbollistët e tij.
“Juventusi është skuadra që ka dominuar këto vite në Itali dhe duhet marrë si standard për të matur veten, për të kuptuar se në çfarë niveli je, – thekson ai, – Juventusi është pika e vetme e referimit në Itali. Me këtë nuk dua të them se kush është favorit për titullin, thjesht po flasim për respekt. Ne iu afruam vjet, shpresojmë që këtë vit të jemi edhe më mirë. Gjithsesi, nuk ka asnjë skuadër në Itali që e ka ngushtuar diferencën me Juventusin”.
Juventusi, ndërkaq, është rikthyer që pas fitores 3-1 ndaj Milanit pikërisht në “San Siro”. Nën drejtimin e Kontes, me udhëheqjen e Kristiano Ronaldos, dhe me mjaft ndryshime në përbërje e në lojë, kampionët e Italisë nuk e kanë pasur të lehtë, por ende cilësohen pretendentë kryesorë për titull. Dueli i sotëm mund të tregojë diçka më shumë.
“Pres një Inter agresiv që në fillim dhe që t’i japë ndeshjes ritëm të lartë, por besoj se ne jemi përgatitur mirë për këtë, – thotë Pirlo, – Nuk duhet të kemi frikë të shkojmë në “San Siro” dhe ta bëjmë ndeshjen ashtu siç duam ne, sepse jemi Juventusi, dhe duhet të japim tonin edhe në një ndeshje të tillë kaq të rëndësishme. Do të jetë një sfidë taktike, por gjithashtu nga ana psikologjike duhet të jemi të bindur për atë që duhet të bëjmë në fushë”.
“Inter-Juve, superheronjtë, – titullon “La Gazeta delo Sport”, që ka në kopertinë fotot e Lukakut e Ronaldos, – një përballje si dueli mes Hulkut dhe Supermenit. Filmi për titull në 200 vende të botës me 600 milionë telespektatorë”.
“Il Korriere delo Sport” e cilëson “nata e gjigandëve”. “Lukaku kundër Ronaldos në finalen që vendos anti-Milanin. Inter-Juve ndez luftën në kreun e renditjes së Serisë A”.
Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje pasi vuajtën shumë për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Interi kaloi 2-1 pas kohës shtesë Fiorentinën në Firence, ndërsa Juventusi gjithashtu pati nevojë për shtesën për të kapërcyer Xhenoan 3-2, në duelin e luajtur në Torino.
Sfidanti.al