Hamiltoni kamzhikon pilotët e F1 për heshtjen pas vrasjes së zezakut!

U bënë disa ditë nga krimi që një oficer policie (të paktën) kreu në SHBA duke vrarë djaloshin zezak Xhorxh Flojd, dhe ndërsa protestat po ndezin flakë Amerikën, por edhe vende të tjera (si Britaninë e Madhe), shumë nga yjet e sportit nuk po flasin. Kjo nuk i ka pëlqyer aspak kampionit të 6-fishtë të botës, Ljuis Hamilton, i cili e ka kapur me kolegët e tij të Formula 1. Anglezi 35-vjeçar përdori fjalë të ashpra.

“Unë ju shoh juve, që po rrini të heshtur, – shkruajti ai në rrjetet sociale, – disa nga ju, yje nga më të mëdhenjtë e këtij sporti, rrini me gojën mbyllur në mes të kësaj padrejtësie. S’ka asnjë zë nga industria ku unë bëj pjesë, që është padyshim e dominuar nga të bardhët. Unë jam i vetmi njeri me ngjyrë këtu dhe sërish jam vetëm. Mendoja se ju mund ta mbanit një qendrim, por ju nuk keni guxim. Thjesht, po ju them se e di se kush jeni dhe jua them në sy”. Në SHBA, ndërkaq, protestat e kanë ndezur flakë vendin, sidomos në 12 qytete si përgjigje ndaj asaj që e quajnë brutalitet sistematik i policisë ndaj afro-amerikanëve.

Sfidanti.al