Një nga analistët e sotëm të futbollit, dikur një yll i Liverpulit si Graem Sunes, thotë se “nuk ka nevojë të bësh ndonjë shkencë të madhe për të kuptuar se Mançester Siti ka nevojë për një sulmues të vërtetë”. Skocezi i shquar i tha këto fjalë pasi “Qytetarët” e Pep Guardiolës u mundën 0-1 në fushën e Totenhemit në ndeshjen e tyre të parë të Premier Ligës. Kampionët në fuqi patën 66 për qind të zotërimit të topit, por nuk u duk se patën ndonjë shans për të shënuar, ndërsa Spërsat shënuan me koreanojugorin Son dhe ishin të rrezikshëm në kundërsulm. “Sezonin e kaluar, Siti ia hodhi duke mos pasur një sulmues të vërtetë, – vazhdoi Sunesi, – por, këtë herë mund të mos ia dalë. Ata kanë nevojë për Harri Kejnin apo për këdo qoftë”. Guardiola është në hall sepse Totenhemi i tregoi se Siti i tij mund të thyhet, e po ashtu nuk po e lejon që të marrë Harri Kejnin, as për 150 milionë paundë stërlina.
Sfidanti.al