Pas dy ditësh mungesë në klub, drejtuesit mendojnë ta ndëshkojnë financiarisht, por asgjë nuk duket e rëndësishme në krahasim me “finalen”. Lionel Mesi do të largohet nga Barcelona, dhe gjoba prej 1 milionë eurosh që është propozuar ndaj tij nuk hyn aspak në sy, nëse e krahason me atë që mund të ndodhë me kalimin e tij tek Mançester Siti. Flitet për të ardhura prej 100 milionë eurosh apo më shumë të superyllit të futbollit, i cili vetëm si rrogë bazë tek Barcelona fiton 600 000 euro në javë, që do të thotë gati 32 milionë euro në sezon.
Me gjasë, ai do të marrë vetëm gjysmën e kësaj rroge në “Etihad”, por kjo do të jetë vetëm pjesa e dukshme e “ajsbergut”, pasi rroga e vërtetë e Mesit do të ishte më e lartë sesa tek Barça. Fitimet nga të drejtat e imazhit janë të jashtëzakonshme, sponsorizimet, ndërsa sheikët e Gjirit Persik i kanë mundësitë financiare për ta shfrytëzuar figurën e argjentinasit ndoshta edhe më shumë sesa Barcelona. Ata e dinë se sado që ta paguajnë Mesin, klubi do të fitojë më shumë, po ashtu do të rriten të drejtat televizive, dhe të ardhurat nga biletat, pasi stadiumi do të ishte gjithnjë plot. E pra, tek Siti po shohin për “nesër”, ashtu si edhe kapiteni i Argjentinës, që nuk do të jetë më kapiteni i Barcelonës.
Sfidanti.al