Bota e çiklizmit është tronditur nga vdekja tragjike e ultra-çiklistit gjerman, Max Riese, i cili humbi jetën pas një përplasjeje me një dre gjatë një zbritjeje me shpejtësi të lartë. 36-vjeçari po udhëtonte me biçikletë pranë banesës së tij në Salzburg të Austrisë, kur u përplas me kafshën. Përplasja ndodhi gjatë një zbritjeje dhe ishte aq e fortë sa biçikleta u dëmtua rëndë. Lajmi për vdekjen e Riese u konfirmua nga “GravGrav Collective”, komuniteti i çiklizmit që ai kishte themeluar. Në rrjetet sociale u publikua një mesazh prekës në nderim të tij.
“Me zemra të thyera ju njoftojmë se Max Riese humbi jetën në një aksident fatal më 15 shtator 2026”, thuhet në deklaratë. “Siç e dimë të gjithë, Max ishte një shpirt i veçantë. Edhe pse garat ultra janë një sfidë individuale, Max kujdesej shumë për njerëzit dhe komunitetin që e rrethonte”, vijon mesazhi. Komuniteti theksoi se largimi i Riese lë një boshllëk të pazëvendësueshëm, jo vetëm në botën e çiklizmit dhe në “GravGrav”, por mbi të gjitha tek familja e tij, Lisa dhe njerëzit më të afërt. Në fund, “GravGrav Collective” u bëri thirrje çiklistëve dhe admiruesve të Riese që të vazhdojnë të ngasin biçikletat, duke e nderuar kështu trashëgiminë e tij. “Shpirti yt do të jetojë në zemrat tona, në idetë tona dhe në veprimet tona. Do të na mungosh më shumë nga sa mund të shprehet me fjalë. Shihemi diku, Max”, përfundon mesazhi prekës. Pas lajmit për vdekjen e tij, shumë çiklistë dhe fansa kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet për familjen e 36-vjeçarit.

