Robert Lewandowski nuk e ka harruar dhe as nuk e ka kapërcyer zhgënjimin për anulimin e ceremonisë së “Topit të Artë” në vitin 2020. Këtë e ka zbuluar Pascal Ferré, ish-drejtuesi i revistës “France Football”, i cili në atë kohë ishte përgjegjës për organizimin e çmimit prestigjioz.
Në një intervistë për “Le Vestiaire”, Ferré e cilësoi anulimin e edicionit të vitit 2020 si një nga momentet më të vështira të karrierës së tij. Vendimi erdhi për shkak të pandemisë COVID-19 dhe ndërprerjeve të shumta të futbollit, që sipas organizatorëve nuk garantonin kushte të barabarta për vlerësimin e kandidatëve.
“E telefonova, sepse po dominonte futbollin europian, por ai nuk arriti ta kuptonte plotësisht vendimin tonë. Edhe në vitet pasuese, sa herë që takoheshim, më thoshte: Ja ku është njeriu që nuk deshi kurrë të ma jepte një ‘Top të Artë’”, rrëfeu ish-drejtuesi i “France Football”.

