Përballja e shumëpritur mes Anthony Joshua-s dhe Tyson Fury-t pritet të zhvillohet më 11 dhjetor, në Cardiff, sipas promotorit të njohur, Eddie Hearn. Bisedimet për realizimin e “Betejës së Britanisë” kanë zgjatur prej disa vjetësh, me marrëveshjen që është afruar tashmë ndjeshëm. Hearn, drejtues i Matchroom Boxing, ka bërë të ditur se dueli është planifikuar paraprakisht për 11 dhjetor, në “Principality Stadium”. Negociatat vijojnë për të përcaktuar orarin e saktë. Për shkak të interesimit të madh ndërkombëtar, përballja pritet të nisë më vonë se zakonisht, në mënyrë që të përshtatet sa më mirë me audiencën globale.
Megjithatë, Hearn ka qetësuar tifozët britanikë, duke theksuar se ndeshja nuk do të nisë aq vonë sa është përfolur. “Njerëzit flasin për një ndeshje në orën 3 të mëngjesit sipas orës britanike. Nuk mendoj se do ta shihni ndeshjen aq vonë”, deklaroi Hearn. Ai shtoi se është dashur të zhvillohen diskutime me drejtuesit e stadiumit dhe autoritetet lokale për të përcaktuar se çfarë është e mundur dhe çfarë jo. Sipas tij, kjo mund të jetë një prej arsyeve që njoftimi zyrtar po vonon.
Joshua dhe Hearn kishin insistuar që përballja të zhvillohej në Britaninë e Madhe dhe jo në Nju Jork, siç ishte propozuar fillimisht. Sipas promotorit, vetë Joshua luajti një rol të rëndësishëm në vendimin përfundimtar. “Gjatë një ose dy javëve të fundit morëm vendimin tonë. AJ ishte personi që udhëhoqi këtë vendim. Nuk ishim të interesuar të pranonim më shumë para apo të ndryshonim kushtet e marrëveshjes vetëm për të ndryshuar vendndodhjen. Ai donte që ndeshja të zhvillohej në Britani”, tha Hearn.
Ai shtoi se palët tashmë po punojnë së bashku me Netflix për të finalizuar datën, duke theksuar: “Mendoj se data është vendosur”. Edhe promotori i Fury-t, Frank Warren, ka konfirmuar se britaniku ka pranuar që dueli të zhvillohet në vendlindje, pasi beson se mund ta nokautojë Joshuan. “Kontrata e Tysonit parashikonte që ndeshja të zhvillohej diku tjetër. Tysoni e ka bërë të mundur që ajo të zhvillohet në Britani. Ai mund të kishte thënë: ‘Sipas kontratës, nuk jam i detyruar ta bëj këtë’, por Tyson dëshiron të luftojë, sepse beson fort se do ta nokautojë Joshuan”, u shpreh Warren.

