Gjithë bota nderon kujtimin e Kobit, Nejmar e bën në fushë!

E mori vesh pak vonë, pasi ndeshja po fillonte. Superylli i Paris SG, Nejmar, u informua vetëm në pushim të duelit të Ligës së Parë të Francës në fushën e Lilës, për vdekjen e legjendës së basketbollit Kobi Brajantit, dhe aty për aty mendoi mënyrën sesi do ta nderonte kujtimin e tij. Rasti i erdhi kur PSG fitoi një penallti dhe vetë Nejmari shkoi ta gjuante. Ndërsa topi me vështirësi përfundoi në rrjetë, braziliani formoi me gishtat e dy duarve numrin 24, numrin e fanelës që mbante ish-ylli i Lejkërsave, ndërsa më pas drejtoi gishtat nga qielli.

“Ky është një moment i një dhimbjeje tepër të madhe, – u shpreh 27-vjeçari pas fitores 2-0, – unë lexova mesazhet në pushim, një dhimbje e madhe për botën e sportit, jo vetëm për tifozët e basketbollit. Unë e njihja atë. Ai festim ishte për të. Uroj dhe shpresoj të prehet në paqë”!

Sfidanti.al