Juve, ndodh që s’ia del dot me krenarinë napolitane!

Favorit ishte ekipi vizitor, ishte kampionia në fuqi, e fuqizuar me Kristiano Ronaldon në formën qiellore, Paulo Dibalën e Gonzalo Higuainin, si dhe me Mauricio Sarrin në stol. Dy prej tyre kanë qenë më parë në Napoli, por bujtja e tyre në “San Paolo” nuk shkoi aspak mirë. Ish-shokët nuk u treguan “mikpritës” dhe Juventusi u mund 1-2 në ndeshjen e radhës të Serisë A, jo vetëm duke shpërdoruar shansin për të shkuar në +6 në renditje, por edhe duke qenë tani vetëm 3 pikë larg Interit. Lacio mund të jetë në vetëm -2 nëse fiton ndeshjen që ka mangut.

Për fatin e vet të keq, Juventusi u ndesh me një skuadër që kuptoi se vlen shumë dhe se duhej të tregonte krenari. Stadiumi nuk ishte plot, por kjo ishte ndoshta ftesa napolitane që ai të mbushet herën tjetër. Polaku Piotr Zielinski shënoi golin e parë dhe kapiteni Lorenco Insinje realizoi të dytin, ndërsa Kristiano Ronaldo nuk mund të rrinte pa lënë një shenjë, duke shkurtuar diferencën. Napoli kishte 3 muaj pa fituar, dhe ja ku e bëri, Xhenaro Gatuzo fitoi për herë të parë në “San Paolo”, ndërsa Juvja e Sarrit u duk e shëmtuar, por kjo e bëri më të bukur kampionatin.

Sfidanti.al