Një skuadër pa identitet dhe karakter ku të gjithë duan të shënojnë duke mos llogaritur aspak faktin që përballë kishin një kundërshtar të uritur. Kombëtarja Shqiptare dhuroi dje në mbrëmje ndoshta një nga ndeshjet më të turpshme të historisë së saj moderne me titull “Egoja personale mbyt bukurinë e grupit”.
Manaj, lojtari që nuk I duron dot kritikat e mediave u përpoq me çdo kusht për të “çarë” rrjetën sepse vetëm kështu (sipas tij) mund të na bindë që i ka të gjitha cilësitë për të qenë lider i sulmit, ndërsa Ramadani pa busull bashkë me shokët e mesfushës, e rrotulluan topin aq shumë e pa efikasitet sa edhe vetë miqtë e kishin shumë më të lehtë për të kuptuar lojën pa ide të skuadrës kuqezi. Mbrojtja? Daku? Mehmeti? Pilo? Të gjithë ngelës në klasën më të lehtë të mundshme të Ligës së Kombeve.
Ndoshta trajneri Maran bën mirë të injektojë fillimisht dëshirën për lojën e dashurinë për fanellën e më pas taktikat moderne të skemave që ndoshta dje as vetë ai nuk i kuptoi dot.
Pirro Bardhyli

