Taulant Seferi në superformë

Taulant Seferi vazhdon të shkëlqejë në futbollin turk, duke konfirmuar formën fantastike që po kalon këtë sezon. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, këtë herë me një gol mjaft të bukur. Seferi, i cili po aktivizohet në krahun e majtë të sulmit, ishte protagonist në minutën e 39-të të takimit. Futbollisti kuqezi dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur rezultatin 2-0 për skuadrën e tij në atë moment. Një realizim që tregoi edhe një herë cilësitë e sulmuesit shqiptar përpara portës kundërshtare. Seferi dhe Kajserispor po përjetojnë një sezon të jashtëzakonshëm.

Skuadra turke kryeson Ligën e Parë dhe është gjithnjë e më pranë objektivit madhor të sezonit. Ngjitja në elitën e futbollit turk është ëndrra e madhe e klubit dhe tifozëve të tij. Në këtë rrugëtim, kontributi i Taulant Seferit ka qenë vendimtar. Sulmuesi shqiptar është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Statistikat e tij flasin qartë për ndikimin që ka në lojën e Kajserisporit.

Deri më tani, Seferi ka regjistruar plot 11 gola dhe dy asistime. Një bilanc shumë pozitiv për futbollistin e Kombëtares shqiptare. Me këtë ritëm, Seferi po bëhet një nga protagonistët kryesorë të sezonit në kampionatin turk. Tashmë, tifozët e Kajserisporit shpresojnë që forma e tij të vazhdojë deri në fund, për të festuar rikthimin në elitë.