Gjysma-gjeli ishte për fëmijët, gjysmë-goli është për “burrat e Superligës”

Dikur ka qënë përralla për fëmijë me gjysma-gjelin, kurse në Superligë, atje ku tregohen përralla për të rritur, kemi parë dhe dëgjuar “përrallën” me gjysmë-golin!  Partizani është mundur nga Kukësi me një gol më shumë imagjinar sesa real, një gol që na kujtoi edhe njëherë se në ndeshjet e kampionatit tone,  VAR-i më i mirë … gjëndet në kokën e arbitrave tanë, pa patur nevojën për analizë elektronike.  Tani, “ndeshja e madhe”, ajo  që nuk solli dot më shumë se 4000  tifozë në “Arena”, mbushet me pyetjen hamletiane : ishte apo nuk ishte? E kaloi vijën topi apo e kaloi “ylberin” arbitri? Por, është një vijë tjetër, ajo e interesit  patologjik për pikë që e bën Kukësin të besojë se arbitri e ka parë golin me shqisën me xham ( dhe jo pa xham),  duke patur një arsye madhore për t’ia mësuar dhe fiksuar emrat arbitrave të ndeshjes, ndryshe nga ç‘kishte thënë pak ditë më parë presidenti Gjici ..“ unë nuk ia di as emrat arbitrave”.

Nëse për Kukësin topi e ka kaluar vijën fatale, për Partizanin  nuk është meraku  tek vija fatale, por tek vija e shkelur e kufirit nga “baballarët” e arbitrave. Nga ata që një vit më parë, për të vendosur një gol të tillë kundër “demave” do të kishin shpikur një sistem kontrolli për gjysmë-golat edhe më modern sesa vetë Var-i.  Ndaj mbetet në fuqi hamendsimi: ishte apo nuk ishte gol? Sido që të jetë, duket se Partizani ka frikë të prishë paktin me “djallin”,  sepse ka akoma në gjoks stemën e kampionit , me të cilën do të “shërojë” të gjitha plagët e këtij sezoni…

Sfidanti.al