Frika është se mund të përsëritet ajo që ndodhi 4 vjet më parë. Gjermania rrezikon të eliminohet për të dytin botëror radhazi që në grup, ndërsa kërcënimi këtë herë vjen nga japonezët, pasi në Rusi mallkimi ishte koreanojugor. Katër herë kampionët e botës luajnë sonte në orën 20:00 ndeshjen e fundit në grup, atë ndaj Kosta Rikës, veçse nuk e kanë fatin në dorën e tyre. Ekipi i trajnerit Hansi Flik do të mbetet jashtë nëse Spanja nuk do të fitojë me Japoninë. Gjermanët janë në këtë situatë për shkak të humbjes ndaj japonezëve që në start, dhe faktit që ndaj spanjollëve morën vetëm barazimin. Flik ka dyshime lidhur me formacionin dhe skemën, ndërsa shprehet i sigurt.
“As nuk e kam menduar mundësinë e eliminimit, – thotë ai, – Unë gjithmonë jam optimist. Shpresoj që të mos më bëni të njëjtën pyetje edhe pas ndeshjes. Jemi vetë fajtorë për pozicionin në të cilin ndodhemi. Kemi në dorë vetëm që të japim maksimumin. Duhet të luajmë mirë dhe të fitojmë
Gjithsesi, është edhe Spanja që mund të përcaktojë fatin e Gjermanisë. “Furitë e Kuqe” ndeshen me Japoninë gjithashtu në orën 20:00 dhe u mjafton edhe barazimi për t’u kualifikuar. Trajneri Luis Enrike gjithsesi premton se ekipi i tij do të tregohet serioz, ndërsa rreshton yjet japonezë. “Take Kubo apo Minamino, – numëron ai, – Shumë lojtarë me nivel të lartë. Një provë shumë e mirë për ne. Nuk kemi ndërmend të tolerojmë, do të respektojmë kampionatin. Japonezët janë shumë dinamikë, shumë të shpejtë, duhet të veprojmë rrufeshëm në aksionet tona. Sidomos më pëlqen mesfusha e tyre”. Për Spanjën janë në dyshim lojtarë si Koke apo Gavi, por Luis Enrike nuk i ka problem mungesat.
Sfidanti.al