“Elefanti” Siti u trondit nga “miu” Çeltënhem, por mbijetoi në Kupë!

Një skuadër e kategorisë së katërt nuk mendohet se mund të flakë tej nga kupa një gjigand të Premier Ligës dhe të Championsit. Gjithsesi, skuadra më e mirë e Anglisë e dekadës së fundit, Mançester Siti, ishte shumë pranë eleminimit në stadiumin e Çeltënhem Taunit. Të mbiquajturit “robinsët” luftuan me trimëri deri në fund ndaj superskuadrës së Pep Guardiolës, edhe pse trajneri katalanas kishte bërë 10 ndryshime nga formacioni tij i përhershëm. Alfi Mej shënoi për vendasit në 59’. Fil Foden barazoi në 81’ dhe Gabriel Zhezus realizoi golin e përmbysjes pesë minuta para fundit. Ferran Torres vulosi shifrat në minutën e katërt shtesë.

Mançester Siti jo më kot quhet një ekip kupash, veçse i kupave angleze sepse në Champions nuk po “qullos” gjë. Edhe pse i vënë me shpatulla pas murit reagoi dhe fitoi me meritë duke kaluar në raundin e pestë. Siti mbajti topin 72 për qind, pati 20 gjuajtje drejt portës (9 në kuadrat) ndërsa vendasit patën 6 (2). “Rrezikuam shumë, por nuk kishim rrugë tjetër, – tha Guardiola më pas, – nuk ka ndeshje të lehta, dhe kjo u pa edhe sot. Mendoj se e merituam fitoren edhe pse vuajtëm shumë. Një përgëzim i madh për djemtë”.

Sfidanti.al