Milan s’kalon dot testin “Atalanta”, por Interi nuk përfiton dot!

Lombardia për këtë javë nuk e ka kryeqendrën në Milano. Ajo është zhvendosur disi më larg, në Bergamo, ku Atalanta u kthye duke i lumturuar tifozët e saj. “DEA” arriti një fitore të madhe (e çfarë fitoreje), 3-0 në fushën e Milanit kryesues që shpallet kampion i dimrit në një ditë zie. Kristian Romero, Josip Iliçiç me penallti dhe Duvan Zapata dënuan në mënyrë kapitale një ekip të cilit nuk i bëri “fajde” as udhëheqja e Zllatan Ibrahimoviçit dhe as “dora magjike” e trajnerit Stefano Pioli. Duelin e fitoi tekniku bergamas, Gasperini, pavarësisht konfliktit të hapur në “shtëpi” me ish-kapitenin Papu Gomez. Milani ka 43 pikë, ndërsa Atalanta u ngjit në katërshe me 36, edhe pse Napoli e Juventusi mund ta kalojnë.

Sidoqoftë, fitorja e atalantinëve nuk bëri që të ndryshonte kreu i Serisë A sepse Interi nuk diti të përfitonte. Qenka shumë e vështirë të konfirmohesh në vazhdimëse, edhe pse ke mundur me meritë Juventusin pak ditë më parë, edhe pse pate jo pak ditë pushim për të përgatitur ndeshjen. Përfundoi 0-0 në fushën e Udinezes me zikaltërit e Kontes që patën mundësi me anë të Lautaro Martinezit, por nuk shënuan dot. “Nuk do të realizonim dot edhe nëse do të luanim deri të mërkurën”, – u ankuan tifozët në rrjetet sociale. Interi mbeti në 41 pikë.

Sfidanti.al