Efekti “Murinjo” u ndje edhe tek Siti, Guardiola humb pa “binjakun”

Flitet se janë njëlloj si vëllezërit siamezë. Pep Guardiola e Zhoze Murinjo sikur nuk mund të jetojnë dot pa njëri-tjetrin, dhe largimi i portugezit nga Premier Liga pati një efekt të dyfishtë. Pozitiv për Mançester Junajtidin, dhe negativ për Sitin.

“Qytetarët” u mundën në mënyrë të pabesueshme, 2-3 në “Etihad” nga Kristël Palasi, edhe pse ishin në avantazh, ndërsa “djajtë e kuq” fituan thellë, 5-1, në fushën e Kardifit. Kjo do të thotë, -4 pikë nga Liverpuli në garën për titull.

Ishte humbja e një skuadre me lojtarë të shkëlqyer, dhe në fushë ishin Ederson, Uolker, Stouns, Laporte, Otamendi, Gyndogan, Bernardo Silva, Stërling, Gabriel Zhezus e Sane, ndërsa më pas hynë edhe Aguero, De Brujn e Mahrez.

“Natyrisht që ne kemi të meta, – ishin fjalët e Guardiolës, pas ndeshjes, – por, kjo është normale. Ne jemi skuadër e jashtëzakonshme, me lojtarë të shkëlqyer, dhe krijuam raste në pjesën e parë, po ashtu u mbrojtëm mirë. Ata shënuan me aksionin e parë, pastaj patën një gol të madh. Ndodh edhe kështu”.

Sfidanti.al