Donçiç arrin kualifikimin e parë në karrierë në plej ofin e NBA-së!

Është ende i ri dhe do të provojë shumë më tepër suksese, por gjithmonë ai i pari është i veçantë. Luka Donçiç mund të jetë një nga basketbollistët më të mirë të NBA-së, por padyshim që u gëzua si fëmijë që Dallasi u kualifikua për në raundin e dytë të plej ofit në Konferencën Perëndimore me fitoren 98-96 në Arenën e Solt Lejk Sitit. Kualifikimi i parë edhe për sllovenin që kur erdhi në SHBA pak vjet më parë, duke u bërë menjëherë një “sensacion”.

Suksesi i Dallasit ndaj Juta Xhazit nuk duhet nënvleftësuar sepse u arrit jashtë fushe dhe tregoi pjekurinë e skuadrës nga Teksasi, që nuk njeh “ditë të bardha” që nga epoka e Dirk Novickit. Donçiç shënoi 24 pikë dhe iu afrua një tripëll dabëllsi me 9 topa në tabela e 8 asiste, si dhe 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjeje. Lojtari 23-vjeçar u ndihmua nga shokët si Branson (24 pikë), Duajnuindi (19) apo Finej-Smith (18 pikë, 10 topa në tabela, 5 asistë). Gjithsesi, në raundin e dytë, Dallasi dhe Donçiçi do të kenë detyrën më të vështirë të mundshme sepse do të jenë përballë ekipit më të mirë të sezonit në NBA, Feniksit.

Sfidanti.al