Ky kampionat që është në përfundim e sipër, na e ndriçoi edhe një herë mendjen, duke na konfirmuar se këtu tek ne funksionon pak më ndryshe se në pjesën tjetër të kontinentit. Investimi, sado të jetë në shifra, madje edhe entuziazmi janë fare të pamjaftueshëm për t’ia dalë mbanë në këtë ambjent të ashpër, që ndonjëherë herë ngjan si tokë e paeksploruar. Më shumë nevojitet një menaxhim profesional, gjë që është e vështirë për t’u ndjerë, por edhe një mbështetje e garantuar nga pronarët e aktivitetit. Këtë të fundit, investuesit e Dinamos nuk e siguruan, ose nuk e përfillën, ndërsa të gjithë sforcimin e tyre financiar e lanë në duar të gabuara.
Në kohën e ndërtimit të skuadrës nuk kontestonte askush, pasi në përgjithësi mendonin se po bëheshin lëvizjet e duhura, ndërkohë që me kalimin e kohës, kur skuadra po zbehej në fushë, drejtuesve u rritej gjithnjë e më shumë arroganca dhe gishtin filluan ta drejtonin vetëm nga Bledi Shkëmbi, trajneri i ditëve të para të kësaj Dinamo të rikthyer nga “ferri”. Paardhësi i tij do të mbahet mend vetëm për lëvizjet egzibicioniste që bënte në pistë gjatë ndeshjeve, por edhe për mungesën e modestisë, kur i uroi ironikisht Faruk Sejdinit pleqëri të mbarë. Dhe batutën që iu duk shumë e gjetur ia drejtoi publikisht një figure të rëndësishme të historisë së Dinamos, vetëm sepse Sejdini u shpreh i bindur për fundin e tanishëm.
Më pas erdhi Rodolfo Vanoli, një trajner jo fare pa eksperiencë, por që çuditërisht pas çdo humbje i duket se Dinamo e tij po përmirësohet gjithnjë e më shumë. Por kjo skuadër mundet njëlloj, nga 10 apo 11 kundërshtarë, si t’ia sjellë rasti, ndërsa trajneri Italian që erdhi për ta shpëtuar, tashmë ka rënë bashkë me të një kategori më poshtë, duke u përpjekur “t’u mësojë” futbollin. Ndërsa një nga drejtuesit më të lartë është treguar edhe më spektakolar në fjalën drejtuar familjes dinamovite, nëpërmjet një ekrani kombëtar televiziv. Sipas tij, tek Dinamo gjithçka funksionon më së mirë, duke iu referuar skuadrave të moshave, përveç ekipit të parë që ende nuk e ka marrë veten. Pra, çdo gjë që të humbet nga zjarri mund ta gjesh tek hiri… dhe kaq mjafton.
Eshtë edhe një italian tjetër në xhiro, Longo i Kukësit, i cili ka pësuar shumë ndryshime në karakter, ashtu si edhe skuadra e tij. Fillimisht u prezantua si një personazh shumë gazmor, gati-gati qejfli, ndërsa tani shtyn mikrofonët dhe përplas këmbët, sa herë që i duket se po provokohet nga gazetarët. Mirëpo në shtëpinë e Safet Gjicit që po e duron aq shumë janë investuar miliona euro për një stadium modest, madje edhe për arsye të tjera që nuk kanë lidhje me futbollin e luajtur, i duhet skuadra në kupat e Europës, për t’i bërë impiantit “Kukësi Arena” një inaugurim të vërtetë. Ndërsa italiani Longo po ia vë në dyshim projektin entuziast të parakalimit si triumfator në shëtitoren e Kukësit.
Kreshnik Shabani