Carvajal, 2-3 muaj jashtë fushave

Mbrojtësi i Real Madridit, Carvajal, do t’i nënshtrohet një artroskopie në gjurin e tij të djathtë, të cilit iu bë operacion në tetor të vitit 2024, “për shkak të pranisë së një trupi të lirë artikular”.

Në një njoftim zyrtar, klubi madrilen bëri të ditur:

“Pas testeve të kryera nga shërbimet mjekësore të Real Madridit, kapitenit tonë Dani Carvajal iu diagnostikua prania e një trupi të lirë artikular në gjurin e djathtë. Lojtari do t’i nënshtrohet një artroskopie.”

Gjatë gjithë ditës së sotme, Carvajal kishte qenë në qendër të vëmendjes për përplasjen e tij me Lamine Yamal në fund të “El Clásico”-s dhe për pasojat që kjo mund të kishte në Kombëtaren spanjolle. Asgjë nuk e kishte lënë të kuptohej se kapiteni i Real Madridit mund të kishte pësuar një dëmtim në atë ndeshje. Ai hyri në fushë në minutën e 72-të në vend të Valverdes dhe nuk kishte shfaqur probleme gjatë minutave të luajtura.

Edhe pse Real Madridi nuk ka specifikuar kohën e mungesës në raportin mjekësor, vlerësohet se Carvajal do të mungojë nga dy deri në tre muaj. Një goditje e rëndë për mbrojtësin spanjoll, sidomos duke pasur parasysh se dëmtimi është në të njëjtin gju ku ai u operua më 5 tetor 2024. Atëherë, Carvajal qëndroi jashtë fushave për nëntë muaj, duke u rikthyer vetëm këtë verë për gjysmëfinalet e Botërorit për Klube.

Qëllimi i tij për këtë sezon ishte të fitonte gradualisht minutat e munguar, pas një dëmtimi të lehtë në muskulin e pulpës, që e mbajti gati një muaj jashtë. Përveç rikuperimit fizik, një tjetër synim i madh i Carvajal-it mbetet pjesëmarrja në Botërorin e ardhshëm, por ky lëndim i ri e vë atë objektiv seriozisht në rrezik.

sfidanti.al