Nayara Ferreira: “Padrejtësi! Jam një grua e fortë dhe e lirë…”

Në ditët e fundit, sporti shqiptar është tronditur nga një ngjarje që ka ngjallur shumë debat: volejbollistja e Dinamos, Nayara Ferreira, është pezulluar për shkak të dyshimeve mbi gjininë e saj. Federata ka kërkuar që sportistja braziliane t’i nënshtrohet një testi për përcaktimin e gjinisë, ndërsa ajo është përjashtuar përkohësisht nga aktivitetet sportive.

Ferreira ka reaguar publikisht përmes një mesazhi të dërguar në emisionin “Shqipëria Live”, duke e cilësuar situatën si një padrejtësi të madhe ndaj saj.

“Ka qenë e tmerrshme dhe e vështirë, por njerëzit do të pendohen që kanë bërë këtë padrejtësi, sepse unë jam thjesht një vajzë që është e lirë dhe që ka të drejtën të ekzistojë, për t’u veshur dhe për të vepruar ashtu si ndihem mirë dhe e vërtetë.

Unë nuk jam një grua e rreme; jam një grua e fortë, me shumë luftë pas vetes. Gjithmonë kam luftuar për të arritur qëllimet e mia dhe nuk do ta pranoj që këta njerëz të më rrëzojnë dhe të më përbaltin pa asnjë arsye. Unë jam unë, Nayara, dhe jam e lirë të jem ajo që dua të jem, ashtu si të gjitha gratë në këtë botë.”

Deklarata e saj ka marrë jehonë të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë përdorues dhe figura publike kanë shprehur mbështetje për volejbollisten, duke kërkuar që çështja të trajtohet me respekt, dinjitet dhe transparencë.

sfidanti.al