Pas zhgënjimit në “El Clásico”, Barcelona më në fund ka një arsye për të buzëqeshur. Sulmuesi polak Robert Lewandowski është shumë pranë rikthimit në fushë dhe mund të jetë në dispozicion të trajnerit Hansi Flick për ndeshjen e së dielës ndaj Elches.
Sulmuesi 37-vjeçar u rikthye këtë mëngjes në stërvitje me grupin në Ciudad Deportiva, një hap i rëndësishëm pas dëmtimit muskulor në bicepsin femoral të këmbës së majtë që pësoi më 14 tetor.
Gjatë seancës stërvitore pas “El Clásico”-s, titullarët kryen punë rikuperimi, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës zhvilloi një seancë më të fortë, ku mori pjesë edhe Lewandowski. Vendimi përfundimtar mbi aktivizimin e tij pritet të merret gjatë javës: skuadra do të ketë pushim të martën dhe më pas do të stërvitet çdo ditë deri në ndeshje.
Rikthimi i ish-‘bomberit’ të Bayern-it është një lajm i madh për Flick, i cili në mungesë të tij është detyruar të eksperimentojë me Rashfordin, Ferran Torresin dhe Toni Fernándezin në rolin e “nëntës fals”, por pa arritur të njëjtën efikasitet në fazën sulmuese.
Lewandowski, autor i katër golave në nëntë paraqitje këtë sezon (shtatë në La Liga dhe dy në Champions League), mbetet një nga pikat më të forta të sulmit katalanas, që ka vuajtur së fundmi për të shfrytëzuar rastet për gol.
Përveç polakut, pritet të rikthehet edhe Andreas Christensen, i cili ka munguar në dy ndeshjet e fundit për shkak të problemeve gastrointestinale. Në anën tjetër, Dani Olmo dhe Joan García janë drejt rikuperimit, ndërsa Raphinha, Ter Stegen dhe Gavi do të kenë nevojë për më shumë kohë për t’u rikthyer në fushë.
sfidanti.al

