Ndahet nga jeta ish-portieri i Real Madridit

 

Futbolli spanjoll është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të José Manuel Ochotorena-s, ish-portier legjendar i Real Madridit, Valencias dhe kombëtares spanjolle. Ai u shua të dielën, më 26 tetor, në moshën 64-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Ochotorena la pas një karrierë të shkëlqyer, duke fituar tre tituj të LaLigas, dy Kupa UEFA dhe një Kupë Lige me Real Madridin, para se të transferohej te Valencia. Me klubin valencian arriti kulmin personal, duke u shpallur portieri më i mirë i LaLigas në sezonin 1988-1989. Falë paraqitjeve të tij të jashtëzakonshme, ai u grumbullua nga kombëtarja spanjolle për Botërorin “Italia 1990”, edhe pse nuk arriti të luante për shkak të konkurrencës me Andoni Zubizarreta-n.

Pas tërheqjes nga futbolli aktiv në vitin 1998, Ochotorena nisi një karrierë të suksesshme si trajner portierësh, fillimisht në Valencia, ku bëri pjesë në stafin e Rafa Benítez-it. Ai e ndoqi Benítezin edhe në Liverpool, ku fitoi Ligën e Kampionëve dhe FA Cup-in me “The Reds” midis viteve 2004 dhe 2007.

Më pas u rikthye në Spanjë, duke ndarë punën mes klubit të Valencias dhe kombëtares. Për 17 vite (2004–2021) ai ishte pjesë e stafit teknik të Spanjës, duke kontribuar në tripletën historike: Euro 2008, Botërori 2010 dhe Euro 2012.

Gjatë karrierës si trajner, ai punoi me portierë të mëdhenj si Iker Casillas, Víctor Valdés dhe David De Gea, duke lënë gjurmë të thella në formimin e brezave të artë të portierëve spanjollë.

Në muajt e fundit të jetës, sëmundja e detyroi të largohej nga fushat, por kujtimi i tij si njeri dhe profesionist i jashtëzakonshëm do të mbetet i paharruar në historinë e futbollit spanjoll.


sfidanti.al