“Dimri i madh” i NBA-së, pas Novickit largohet edhe legjenda Uejd!

Në moshën 37-vjeçare ndjeu se duhej të thoshte mjaft. Vendimimin e kishte marrë prej kohësh dhe sezoni i fundit kaloi për Duejn Uejdin më shumë si një ceremoni e gjatë festive për lamtumirën, sesa si një konkurrim për titull.

Uejd, padyshim një nga basketbollistët më të mirë në historinë e NBA-së, luajti ndeshjen përmbyllëse pikërisht në Arenën e Bruklinit në Nju Jork, ku Majemi humbi 94-113, por ku ai i fitoi sfidat personale, duke realizuar tripëll dabëllin e fundit në karrierë. Shënoi 25 pikë, kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 10 pasime për kosh.

Lebron Xhejms, Karmelo Entoni dhe Kris Pol ishin në Arenë për të ndjekur lamtumirën e Uejdit. Të katër mbeten shokë të ngushtë dhe luajtën bashkë në ekipin olimpik amerikan. Uejd fitoi tre tituj kampion, në 2006, 2012 e 2013, që të gjithë me Majemin, të parin duke qenë ai udhëheqësi i ekipit, dhe dy të tjerët në krah të Lebron Xhejmsit e Kris Boshit. Ai luajti gjithë karrierën tek Majemi, me përjashtim të dy sezoneve me Çikagon dhe Klivlendin. Me kombëtaren fitoi titullin olimpik në 2008 në Pekin, ndërsa në NBA luajti për 16 vjet, duke u bërë rekordmeni dhe lojtari më i mirë i Majemit në histori.

Sfidanti.al