Dhimbje koke për Murinjon, mungojnë Pogba e katër të tjerë!

Ndeshja nuk është nga ato më impenjueset, veçse Zhoze Murinjo nuk është aspak i qetë. Trajneri i Mançester Junajtidit pritet të ketë mungesa, ndërsa e di mirë nga përvoja që ka, se në Premier edhe skuadrat më të vogla të bëjnë “gjëmën”. Uest Brom me siguri po “fërkon duart” me lajmet që vijnë nga “Old Trafordi”. Pol Pogba me siguri nuk luan dot në fundjavë për shkak dëmtimi. Përveç tij, janë edhe mbrojtësit e qendrës, Kris Smolling dhe Fil Xhons, të cilët morën goditje gjatë ndeshjes së Anglisë, dhe gjithashtu nuk pritet që të grumbullohen.

Treshes i shtohen edhe dy lojtarë të tjerë shumë të rëndësishëm si Ander Herrera dhe sidomos Zllatan Ibrahimoviç që janë të pezulluar. “Pra, – bën llogaritë Murinjo, – ne kemi humbur katër lojtarë, ndërsa Pol Pogba mendoj se është gjithashtu jashtë. Pra ne kemi humbur pesë”. Sikur të mos mjaftojnë këto shqetësime, Markos Roho, Antonio Valensia dhe Sergio Romero luajtën në eleminatoret e Botërorit dhe patën një rrugë të gjatë në krhim nga Amerika e Jugut, pra pritet të jenë të lodhur.

Sfidanti.al