De Ligti si kapiteni 15-vjeçar i Zhyl Vernit, po habit gjithë botën!

Në vitin 1878, shkrimtari i famshëm francez Zhyl Vern botoi romanin “Kapiteni 15-vjeçar” ku tregonte historitë fantastike të djaloshit Dik Sand në anijen e gjuetisë së balenave. Romani është i famshëm, por tani pas 140 vjetësh, kemi një tjetër kapiten, në të vërtetë më të madh në moshë, por që po habit gjithë Europën.

Ky është Matijs De Ligt, 19-vjeçari që mban shiritin tek Ajaksi, eleminuesi i Realit, dhe përballuesi i Juventusit. Është një rast tepër i rrallë në futbollin e sotëm profesionist që një lojtar, ende adoleshent, të udhëheqë skuadrën e një klubi të madh dhe të jetë i barabartë me gjigandë si Benzema, Modriç, Ramos apo Kristiano Ronaldo.

Tashmë, De Ligti është objektiv i klubeve të mëdhenj. Ish-trajneri i shquar holandez, Luis Van Gal, thotë se 19-vjeçari mund të zhvillohet shumë po të shkojë tek Juventusi, që është specialist për mbrojtjen, por do të ishte më mirë të luante për Barcelonën apo Mançester Sitin. Trajneri i tij, Erik Ten Hag, thotë se De Ligti do të luajë sezonin tjetër për Barcelonën ose Bajernin, ndërsa danezi i madh, Jesper Olsen, i parashikon një karrierë të madhe tek Mançester Junajtidi.

Keqardhja e vetme është që De Ligti dhe brezi i tij nuk do të bëjnë dot atë që bëri brezi i Krujfit, Van Bastenit apo ai i mesit të viteve 90-të, që siguruan trofe për Ajaksin përpara sesa të largoheshin.

Sfidanti.al