Dani Alvesh kthehet tek “parajsa Brazil” bashkë me 40 trofetë e tij!

Në moshën 36-vjeçare nuk sheh ndonjë arsye të rëndësishme për t’i dhënë fund karrierës si futbollist. Dani Alvesh, pasi veshi fanelat e Seviljes, Barcelonës, Juventusit e Paris SG, u kthye në vendin e tij, Brazil, duke i dhënë fund “kurbetit”. Kthehet në një lloj pensioni të parakohshëm, pasi nga ritmi i çmendur europian, do të ketë mundësi të luajë një “zhogo bonito” më të zbutur në vendin e madh amerikanojugor, ku po digjen pyjet e Amazonës.

Si një tifoz i Sao Paolos, mbrojtësi i krahut u bashkua me klubin e shquar, duke firmosur një kontratë 3-vjeçare. Me 40 trofe në bagazhin e tij të kthimit nga Europa, ai është sot lojtari më i famshëm i kampionatit brazilina, dhe një nga më të lavdishmit në botë. Ishin plot 45 000 tifozë në stadium për ta pritur legjendën, një shifër e rëndësishme për një moshë të tillë. Lionel Mesi, Luis Suarez, Kaka apo Luis Fabiano e përshëndetën ish-shokun e tyre me video përgëzuese.

Sfidanti.al