Euroliga e pati kryendeshjen e javës në “Palau Blaugrana” dhe skuadra shtatë herë e Europës, CSKA e Moskës, e fitoi sfidën e vështirë. Skuadra ruse ia doli 84-76, duke pasur nerva më të forta sesa vendasit, e duke mbetur pranë kreut të renditjes që mbahet nga Fenerbahçe.
Për herë të parë pas shumë kohësh, për CSKA-në nuk shkëlqyen vetëm francezi De Kolo, spanjolli Sergio Rodrigez, si dhe amerikanët që ka në përbërje, por edhe një lojtar rus. Ky ishte Nikita Kurbanov, autor i 17 pikëve në 32 minuta lojë. Kurbanov kapi edhe 5 topa në tabela, duke qenë më i rëndësishëm sesa amerikanët Klajbërn, Haket, Hajns dhe Hanter.
Vetëm De Kolo u paraqit më mirë sesa rusi, me 25 pikë (7 kosha tripikësh), 5 topa në tabela, 3 asistë dhe 1 vjedhje topi. Fenerbahçe kryeson me 18 fitore e 2 humbje, ndjekur nga Reali i Madridit me 16 fitore e 4 humbje, dhe CSKA-ja me 15 fitore e 5 humbje.
Sfidanti.al