Dortmundi tjetër “shuplakë” presionit të Bajernit, 5-1 me Hanoverin

Sezoni është i gjatë dhe gjithçka mund të ndodhë, por nëse vazhdon kështu, bavarezët nuk duket se kanë shpresë. Borusia e Dortmundit tregoi edhe një herë se nuk e ka problem të përballojë presionin si favorite për titull, duke triumfuar në ndeshjen e Bundesligës ndaj Hanoverit.

Në stadiumin “Signal Iduna Park”, rreth 80 000 tifozë mbetën padyshim shumë të kënaqur nga shifrat 5-1, dhe nga fakti se diferenca me Bajernin u rrit në 9 pikë, të paktën përkohësisht. Djemtë e rinj sërish nuk e tradhëtuan trajnerin e tyre, Lysien Favre, duke fituar ndeshjen e dytë radhazi në vitin 2019.

Ashraf Hakimi shënoi golin e parë, pastaj kapiteni Marko Rojs vulosi shifrat 2-0 të pjesës së parë. Pas pushimit, Mario Gëce, Gerrero dhe Vicel realizuan edhe tri rrjeta të tjera, ndërsa miqtë vetëm shkurtuan shifrat në 4-1 me anë të Bakalorcit.

Dortmundi u tregua shumë më superior sesa ish-skuadra e Altin Lalës, duke e qarkulluar vazhdimisht topin, e duke qenë e qartë në sulm dhe në mbrojtje. Trajneri Favre nuk e pati problem të linte në stol Kristian Pulishiçin, apo të aktivizonte vetëm për 30 minuta shënuesin më të mirë të ekipit, spanjollin Pako Alkaser.

Dortmundi kryeson Bundesligën me 48 pikë, ndaj 39 të Gladbahut e të Bajernit, ndonëse bavarezët ende nuk e kanë luajtur ndeshjen e tyre. Lideri i kampionatit, po ashtu ka shënuar më shumë se çdo ekip tjetër, plot 50 gola.

Sfidanti.al