E vazhdoi rekordin e tij tek Portugalia dhe ndjekjen e yjeve të mëdhenj të ekipeve kombëtare, por sërish nuk duket ai që ka qenë. Kristiano Ronaldo ishte vërtet shpëtimtari i ekipit përfaqësues që për pak u turpërua në Andorrë, veçse një gol i vetëm ndaj një ekipi kaq modest nuk duket në lartësinë e standardeve të tij. Kampioni i Realit e nisi nga stoli dhe hyri në pjesën e dytë duke shënuar gol në 63’ dhe duke ndihmuar Andre Silvën në 83’ për suksesin “e vogël” 2-0, që mban gjallë shpresat për vendin e parë në grupin eleminator B të Botërorit.
Nëse fitohet ndeshja e fundit në shtëpi ndaj Zvicrës shkohet drejt e në Rusi, ndryshe do të ketë plej of. Ronaldo ka tani 15 gola në këto eleminatore, baraz me rekordin e Robert Levandovskit, ka edhe 79 gola për Portugalinë duke qenë më pranë Kunishige Kamamotos së Japonisë dhe Ferenc Pushkashit të Hungarisë. Kamamoto ka 80 gola për japonezët shënuar në 84 ndeshje, ndërsa Pushkash ka 84 gola në 85 ndeshje, me mesatare gati 1 gol për çdo takim. Kristiano ka ritëm më modest, 79 gola në 146 ndeshje, ndërsa i shkëputur mbetet Ali Daei i Iranit me 109 gola në 149 ndeshje.
Sfidanti.al