U ankuan nga Ançeloti? Lojtarët, më pak liri me Jup Hajnkesin!

Karlo Ançeloti ishte një “baba” i mirë dhe liberal, por ja që e humbi fillin me lojtarët e tij, që nuk e deshën më. “Babai i adoptuar” u largua nga “shtëpia” dhe bashkë me të edhe liberalizmi i italianit, pasi “ati” i ri, Jup Hajnkes, ka “mana” të tjera. Hajnkes njihet si njeri më strikt, që lejon më pak liri për lojtarët, sepse kërkon zbatimin e rregullave deri në një. Ndoshta, tipike gjermane, kjo.

Gjithsesi, veteran mund të sjellë një ndryshim që mund të jetë për mirë. Hajnkes do të mbështetet tek lojtarët veteranë, si Tomas Myler, Roben apo Riberi, duke pasur një skemë taktike më të mbuluar, por gjithashtu sulmuese, 4-2-3-1. Kjo do të thotë se Robert Levandovski do të vazhdojë të jetë sulmuesi i vetëm, dhe se Myler, Roben apo Riberi mund të jenë mbështetje e tij nga pas. Natyrisht, Hajnkes nuk do të ketë Lahmin dhe Shvajnshtajgerin, dhe në vend të tyre luajnë Kimih e Tiago, ndërsa shpresohet që dyshja e mbrojtjes të forcohet me Boateng-Humels dhe që Nojer të kthehet në portë.

Dy janë pikëpyetjet për trajnerin e ri, dëmtimet dhe mosha e lojtarëve. Nëse yjet nuk janë mirë fizikisht apo janë të vjetër, si mund të marrësh maksimumin prej tyre?

Sfidanti.al