Për 3 muaj mbush 40 vjeç, por nuk duket aspak. Xhanluixhi Bufon është sinonimi i fjalës fitore, dhe në rolin e tij është padyshim më i miri i kohëve të fundit. FIFA e shpalli numrin 1 të portierëve në vitin 2017, padyshim edhe në skuadrën e vitit. Ishte hera e tretë që “gardiani” i Juventusit e merrte këtë vlerësim të lartë, ndërsa 4 herë është shpallur nga UEFA në skuadrën e vitit, dy herë është shpallur portieri i vitit po nga UEFA, dhe katër herë më i miri nga IFFHS.
Është po IFFHS, instituti i famshëm i statistikave, që e ka shpallur si portierin më të mirë të shekullit të 21-të, ndërsa në 2010-ën, si më të mirin portier të 25 viteve të fundit. Në Serinë A ka krijuar një “diktaturë”, pasi është shpallur 11 herë si portieri më i mirë.
“Jam krenar dhe i lumtur që e fitoj këtë çmim në moshën time, – tha Bufon në ceremoninë e Londrës, – falenderoj klubin, trajnerin dhe shokët e mi sepse më ndihmuan që ta fitoja. Sezoni i fundit ishte fantastik, por jo plotësisht për të fituar në Europë. Dua ta mbyll karrierën me një fitore të madhe”. Juventusi dhe Bufon dolën kampionë të Italisë, fituan Kupën e Italisë, por u mundën nga Reali 1-4 në finalen e Championsit.
Sfidanti.al