Ronaldo barazon Mesin, Lojtari më i mirë i botës në 2017

Pritej që fitues të ishte ai dhe kështu ndodhi. Kristiano Ronaldo u shpall fitues i çmimit Lojtari më i mirë i vitit 2017 nga FIFA, duke lënë pas Lionel Mesin dhe Nejmarin. Ishte Diego Armando Maradona që ia dha trofeun portugezit të shkëlqyer në Londër.

Ylli i Realit të Madridit e fitoi për herë të dytë radhazi trofeun e madh, ndërsa në karrierë u barazua pikërisht me Mesin, me 5 tituj të tillë, përfshi edhe kur ishte vlerësimi i përbashkët, i FIFA-s dhe “Frans Futbollit”, nën emrin Topi i Artë. Revista franceze do ta japë më vonë çmimin e saj, që ka po këtë emërtim.

Ronaldo u shpall më i miri për shkak të trofeve që fitoi Reali i Madridit. Skuadra e tij mori titullin kampion në Spanjë dhe Championsin, ndërsa Barcelona vetëm Kupën e Mbretit. Gjithsesi, në nivel personal, Mesi ishte padyshim më lart. Jo vetëm sepse në 2017, shënoi më shumë gola sesa Ronaldo (50 ndaj 44) dhe shërbeu më shumë asistë (13 ndaj 11), por edhe sepse pesha e tij në lojën e Barçës është shumë më e madhe sesa ajo e Kristianos tek Reali, ku luajnë Kros, Modriç, Kasemiro, Marselo apo Isko.

Në totalin e karrierës, dueli është vërtet i madh, me Ronaldon që ka 615 gola e 200 asistë në 874 ndeshje (duke qenë 1.5 vjet më i madh), dhe Mesin me 583 gola e 235 asistë në 719 ndeshje.

Sfidanti.al