Botërori i atletikës, Duplantis si legjenda Sergej Bubka!

Një suedez që po fluturon mbi “çatinë e botës”. Ky është Armand Duplantis, i cili nga emri duket francez, por mbron një flamur tjetër. Kampioni i madh triumfoi në kërcimin me shkop për meshkuj në kampionatin botëror të atletikës në Juxhin të SHBA-së, duke vendosur edhe rekordin e ri botëror me 6.21 metra. Është hera e pestë që e bën në qiell të hapur dhe po i ngjan gjithnjë e më shumë legjendës ukrainase e sovjetike, Sergej Bubka, dominues i viteve 80-të e 90-të të shekullit të kaluar. Suedezi është vetëm 22 vjeç dhe ka mundësi për më shumë. Diferenca me rivalët ishte e madhe pasi amerikani Nelson kaloi 5.94 metra, po aq sa filipinasi Obiena.

Në Oregon u zhvilluan edhe garat e fundit, pasi Botëori u mbyll. Norvegjezi Jakob Ingebrigtsen fitoi garën e 5 000 metrave me 13’09”24, argjendin e mori keniani Krop dhe bronzin Çelimo i Ugandës. Në dhjetëgarësh fitoi Kevin Majer i Francës, pasi rekordmeni botëror mblodhi 8816 pikë, duke dalë kampion i botës për të dytën herë radhazi. Pasi tij, kanadezi Lepazh dhe amerikani Ziemek. Në 800 metra për femra fitoi Athing Mu me 1’56”20 duke u bërë më e reja e të gjitha kohëve (meshkuj+femra) që ka edhe titullin olimpik, edhe botëror. Ajo është 20 vjeç, ndërsa la pas britaniken Hodkinson dhe kenianen Mora. Në kërcim së gjati për femra fitoi Malaika Mihambo e Gjermanisë, kampione olimpike. Ajo kërceu 7.12 metra dhe medaljet e tjera i fituan Brume e Nigerisë dhe braziliania Melo.

Stafetat 4×400 metra i fitoi SHBA, për meshkuj e për femra. Për djem, amerikanët ishin kampionë në fuqi dhe morën të artën me 2’56”27 (koha më e mirë e vitit), duke mposhtur Xhamajkën që arriti 2’58”58 dhe Belgjikën. Për vajza, SHBA nuk bëri shaka duke fituar sërish të artën, ndërsa Alison Feliks mori medaljen 20-të në karrierë. Usain Bolt është i dyti në histori me 14. Amerikanet dhanë kohën më të mirë të vitit 3’17”79, e pas tyre ishin Xhamajka dhe Britania e Madhe.

Sfidanti.al