Lebron Xhejms shënoi 30 pikë, por nuk u lodh më shumë se ç’duhet, ndërsa Klivlendi nuk pyeti për historinë e Bostonit, për të arritur një fitore që turpëroi rekordmenët e titujve në NBA. Edhe pse në basketbollin amerikan ka shumë më tepër ekuilibër sesa në ligën spanjolle apo italiane, sërish ndodh që edhe dy skuadra të forta të jenë dy botë shumë larg njëra-tjetrës. Kavaliersi fitoi 130-86, duke pasur një kryesim rekord prej 41 pikësh në pushim të ndeshjes luajtur brenda në Boston.
Klivlendi barazoi rekordin e plej ofit në historinë e NBA-së me 13 fitore radhazi, dhe do të ketë shans ta thyejë të dielën (të hënën në mëngjes me orën shqiptare) kur të luajë ndeshjen e tretë në Arenën e tij. Kajri Irving shënoi 23 pikë dhe Kevin Lov pati 21 pikë dhe 12 topa në tabela për një skuadër kampione që i shpërndau detyrat. Plot 11 nga 13 lojtarët në parket shënuan pikë, ndërsa ndeshja u bë më e lehtë pasi më i miri i Bostonit, Tomas, doli nga loja i dëmtuar kur kishte shënuar vetëm dy pikë.
Finalja e madhe për titull duket se do të jetë Golden Stejt-Klivlend, pikërisht ajo që është parashikuar, dhe që ka qenë edhe finalja në dy sezonet e fundit. Uorriors, nga ana e tij, po dominon San Antonion, ndonëse e pati të vështirë në ndeshjen e parë.
Sfidanti.al