Talenti 18-vjeçar, Kilian Mbape, ashtu sikurse edhe pritej, u thirr nga trajneri i përfaqësueses franceze, Didie Deshamp, për ndeshjet e ardhshme të Francës dhe, ndërkohë që preferoi Mbapen, ai injoroi Karim Benzeman. Ndërkohë që ky futbollist i talentuar i Monakos po bëhet beniamin e Deshampit dhe një nga yjet e Francës së rinuar, Benzema nuk po kthehet dot në përfaqësuese, pavarësisht nga forma e tij e mirë, qysh kur ai është bërë pjesë e skandalit lidhur me futbollistin Matje Valbuena.
Krahas Mbapes, Deshampi ka thirrur në kombëtare, konkretisht, për të luajtur në sulm, kolegun e tij të sulmit të Monakos, Lemar, Dembelen e Borusias së Dortmundit, Zhirun të Arsenalit, Grizmanin të Atletikos së Madridit, Lakazetin të Lionit, si edhe Pajen dhe Tovinin të Olimpikut të Marsejës. Franca do të luajë ndeshje miqësore me Paraguajin më 2 qershor, një javë, më vonë, në Suedinë dhe, më 13 qershor, me Anglinë.
Sfidanti.al