Tifozët me siguri do ta dashurojnë edhe më shumë. Fernando Jorente nuk është vetëm njeriu që ka meritën kryesore për mbijetesën e Suonsit në Premier Ligë, por është edhe një njeri besnik, nga ata të rrallët në futboll. Sipas traditës më të mirë të Vendeve Baske, sulmuesi vendosi të mos largohej nga skuadra derisa të përfundonte misionin e tij. Tani që gjithçka shkoi siç duhet, Jorente zbulon një të fshehtë.
“Antonio Konte më deshi tek Çelsi në janar, – tha ai, – Unë thashë menjëherë se do të qendroja këtu. Ne po luftonim për të mbijetuar, pra kishte një kauzë të fortë. Nuk mund të largohesha, ndonëse në të ardhmen nuk i dihet”. Jorente shënoi 14 gola këtë kampionat, aq sa u deshën që Suonsi të shpëtonte. Disa herë ai është kritikuar se nuk ka vrapuar shumë (Lampard dha një herë se kishte vrapuar vetëm 19 metra), por basku është shumë i qartë.
“Unë vrapoj kur duhet, vrapoj kur jam në formë, – thekson ai, – në raste të tilla vrapoj edhe 10 apo 11 km. Unë jam sulmues dhe jam shtatlartë, pra nuk mund të vrapoj kaq shumë, shikoni Zllatan Ibrahimoviçin, që nuk vrapon shumë, por është i shkëlqyer”. Nuk dihet nëse Konte do ta kërkojë sërish sulmuesin e mëparshëm të Bilbaos dhe Seviljes, me të cilin punoi kur ishin bashkë tek Juventusi.
Sfidanti.al