Besnik Prenga: Kam 3 lojtarë në këtë Botëror, Kroacia arrin gjithçka me Modriçin!

E ka provuar suksesin personal në atë vend. Besnik Prenga është një trajner shqiptar që jeton e punon në Kroaci, ku u shpall kampion i vendit për të rinjtë me Lokomotivën e Zagrebit, ndërsa vazhdon i angazhur si skaut futbolli. Njeriu që ka afruar shumë lojtarë shqiptarë në Kroaci, duke nisur me Uzunin, komenton për Abc-në suksesin e kombëtares kroate ndaj Brazilit. “Është e vërtetë që Brazili ka një numër të madh futbollistësh dhe shumë yje, – thotë Prenga, – por, Kroacia është ekip që shumë besim në vetvete. Ata kanë besim kundër kujtdo luajnë, Brazilit, Argjentinës. Përsa kohë të luajë Luka Modriç, gjithçka mund të arrihet. Kroatët i kanë treguar vendeve të tjera ish-jugosllave sesi duhet të luash për atdheun”.

Gjithsesi, Prenga sheh një tjetër kombëtare si favorite për titullin. “Franca është ekipi më i fortë, ka Mbapenë që krijon golin nga asgjëja, edhe pse në këtë Botëror gjithçka mund të ndodhë”, – shprehet ai. Prenga është i lidhur me Botërorin sepse është agjent i disa yjeve të Kroacisë. “Po e ndjek këtë Botëror sepse aty luajnë 3 lojtarë të mi, Brozoviç, Petkoviç që shënoi golin dhe Majer që ekzekutoi saktë penalltinë”, – sqaron Besnik Prenga.

Sfidanti.al