Askush nuk dyshon se “Kamp Nou” është shtëpia e tij, dhe se dëshira e Lionel Mesit është që ta mbyllë karrierën tek Barcelona. Gjithsesi, kur vjen puna për rinovimin e kontratës, drejtuesit e klubit kuptojnë se nuk është aq e lehtë të bisedohet me superyllin argjentinas. E provuan kur akordi u zgjat më në fund në vitin 2017, duke mbetur gjithçka pezull deri në muajt e fundit, dhe ndoshta mund ta provojnë përsëri.
Presidenti Zhozep Bartomeu deklaroi, për televizionin ESPN, se po mendon për një kontratë të re, “të përjetshme” me Mesin, ndërsa kjo e tanishmja vlen deri në 2021. Besohet se mund të ketë bisedime vitin e ardhshëm, dhe problem nuk do të jetë thjesht rroga, por sidomos aftësia e klubit katalanas për të pasur një skuadër në nivelin e ambicieve të kapitenit të tyre. Mesi dëshiron trofe, sidomos Championsin, dhe Barça ka treguar vitet e fundit se i ka munguar zotësia për të konkurruar me Realin. Leo nuk dëshiron që kjo të ndodhë përsëri.
Blerjet e ndryshme nuk kanë qenë aq efikase, siç e tregojnë Paulinjo, Kutinjo, Boateng apo edhe të tjerë që sot janë larguar. Mesi dëshiron që Barcelona të jetë numri 1 në botë në gjithçka, ashtu siç është ai lojtari më i mirë në planet.
Sfidanti.al