Armando Broja arrin Suarezin dhe kalon Zllatan Ibrahimoviçin!

Që ishte i zoti dihej, por që do të arrinte kaq shumë, vështirë të mendohej. Armando Broja mund të thuhet se ka marrë një “10 me yll” në sezonin e tij të parë në Superligën e Holandës, madje duke u matur me gjigandë të futbollit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare e mori notën 10 falë 10 golave të shënuar në elitën holandeze me Viteshen, duke kaluar jo më pak se vetë Zllatan Ibrahimoviçin. Legjenda suedeze realizoi 9 herë në debutimin në Holandë me Ajaksin në sezonin 2001-2002, ndonëse ishte pak më i madh në moshë sesa Broja, 20. Ibra dihet mirë se çfarë u bë më pas dhe çfarë vazhdon të jetë, e shpresohet që edhe shqiptari të ketë një karrierë të madhe.

Sulmuesi 19-vjeçar po ashtu ka arritur nivelin në debutim të Luis Suarezit, një tjetër legjende të futbollit. Uruguajani shkoi në Holandë pikërisht në moshën 19-vjeçare, fillimisht me Groningenin duke shënuar 10 gola. Suarezi pas Groningenit kaloi radhazi tek Ajaksi, Liverpuli, Barcelona e tani Atletiko. Vetë Broja është lojtar i Çelsit të Londrës, gjysmëfinalist i Championsit këtë vit, i huazuar tek Viteshe për të fituar minutazh dhe përvojë. Ai e ka shfrytëzuar më së miri mundësinë duke qenë shënuesi më i mirë i Viteshes që mund të kualifikohet në Ligën e Europës, dhe që arriti edhe finalen e Kupës së Holandës, humbur ndaj Ajaksit.

Sfidanti.al