Anglia merr 1 ndeshje dënim për 5 000 shkelës, Shqipëria mund të ketë dy ndeshje për disa bidona uji!

Këto janë standardet e dyfishta dhe mënyra sesi interpretohet rregullorja. Anglia do të luajë një ndeshje pa tifozë në “Uembli” pas dënimit të UEFA-s për ngjarjet me tifozët përpara finales së Euro 2020 ndaj Italisë. Rreth 5 000 njerëz shpërthyen kordonët e policisë dhe të rojeve private në “Uembli” duke hyrë pa biletë e duke krijuar kaos e kërcënim për tifozët e tjerë, por dënimi i dhënë nga UEFA ishte vetëm 1 ndeshje dhe 100 000 euro gjobë. Me gjasë, Shqipëria mund të ketë dy ndeshje pa tifozë nga FIFA për shkak të disa dhjetëra shisheve me ujë të hedhura nga disa ultras ndaj lojtarëve të Polonisë në ndeshjen e Botërorit në “Arenën Air Albania”. Mendohet edhe për nja 200 000 franga zvicerane gjobë, ndërsa Hungaria u dënua me një ndeshje pa tifozë dhe me 200 000 franga gjobë për racizmin e një pjese të tifozëve dhe për hedhje të disa bidonave ndaj Rahim Stërlingut në ndeshjen me Anglinë në Budapest.

Sfidanti.al