Në Angli përdoret shpesh shprehja që “fëmijët po luajnë ndaj burrave”, apo edhe “nuk fitohet kampionati me fëmijë”. Kjo iu tha Sër Aleks Fergusonit kur eksperimentoi me brezin e “bebeve” në mesin e viteve 90-të, por koha i dha të drejtë trajnerit të Mançester Junajtidit. Nuk dihet nëse do t’i japë të drejtë edhe teknikut të Barcelonës, Ronald Kuman, i cili ka shpresë tek disa djem të rinj që do t’ia “nxjerrin gomarin nga balta”. Ansu Fati është kthyer tashmë titullar dhe ishte vendimtar në fitoren e rëndësishme në La Liga 3-1 ndaj Valencias. Pritet edhe kthimi i 18-vjeçarit tjetër, Pedri, ndërsa në fushë ishte 18-vjeçari Gavi.
Me Ter Shtegenin në portë, Erik Garsinë në krah të Pikesë në qendër të mbrojtjes, De Jongun që rri në mesfushë bashkë me Gavin e Busketsin, si dhe me Depain e Destin së bashku me Fatiun, katalanasit kanë shpresë. Për më tepër, disa minuta i luajti edhe Kun Aguero dhe “Kamp Nou” me mbi 47 000 tifozë brenda thirri emrin e argjentinsit në kor. Kutinjo e Mingueza u aktivizuan për katalanasit, ndërsa në stol ka djem të rinj si Balde, Jusuf Demir apo Riki Puig. “Shpresoj të kem ekipin të plotë dhe të përfitojmë nga qetësia që do të kemi”, – tha Kumani që mund të shkarkohej nëse humbiste këtë herë.
Sfidanti.al