A besoni në mallkimet? Nëse po, Anglia është e mallkuar në televizionin ITV!

Kur kombëtarja e “tre luanëve” luan dhe ndeshjet i transmeton televizioni publik, BBC, gjithçka është në normalitet dhe tifozët janë të kënaqur. Anglia fiton 70 për qind të herëve ndërsa tifozët e shohin nga shtëpitë apo lokalet në ekranin e BBC-së, kurse kur këtë të drejtë transmetimi e blen televizioni privat, ITV, gjithçka përmbyset. Sipas të dhënave “që nuk i luan as topi”, Anglia ka fituar vetëm 4 nga 24 ndeshje të fazave finale të Europianëve apo Botërorëve, që janë transmetuar në ITV duke nisur nga Kupa e Botës 1998 në Francë. Kjo do të thotë një mesatare prej vetëm 17 për qind, dhe “Deili Meil” e ka një farë të drejte (ndonëse spekulative) kur thotë se “Anglia është e mallkuar kur transmetohet në ITV”. Edhe ndeshja vendimtare në Euro 2020, ajo e fundit në grup ndaj Republikës Çeke, mund të dalë e mallkuar sepse jepet sërish nga ITV. Nuk dihet sesa tifozë anglezë besojnë tek mallkimi, por problemi është se kur vjen puna te kontratat televizive s’ka mallkim që ato i ndryshon.

Sfidanti.al