Goran Pandev, një mit i jep fund karrierës me kombëtaren!

Në janar të vitit 2004, një lojtar 21-vjeçar nga Maqedonia përjetoi diçka që mund të cilësohet një fyerje. Ky ishte Goran Pandev, futbollist jo edhe aq i njohur, dhe Interi i Milanos ia dha atë Lacios për një çmim simbolik prej 500 eurosh. Kaq vlente kartoni i sulmuesit të ri, por Pandev nuk e kishte thënë ende fjalën e tij. Djaloshi i lindur në Strumicë të Maqedonisë, pranë kufirit me Bullgarinë, e kishte provuar shpejt profesionizmin e nivelit të lartë pasi Interi e mori që në moshën 18-vjeçare, ndonëse e dha huazim tek Specia dhe Ankona.

Ky lojtar, që kaloi nëpër sherret me Klaudio Lotiton tek Lacio, për të arritur kulmin e lavdisë me Interin e Zhoze Murinjos në 2009-2010 duke fituar Championsin, Serinë A dhe Kupën e Italisë, ditën e djeshme i dha fund karrierës për kombëtaren e vendit të tij. Pandev luajti ndeshjen numër 122 me fanelën tashmë të Maqedonisë së Veriut, padyshim një rekord, ndërsa ka shënuar 38 gola, gjithashtu rekord. Shokët e tij, sllavë e shqiptarë, e përqafuan dhe e përgëzuan duke i organizuar një ndarje emocionuese. Edhe rivali i fundit në Euro 2020, Holanda, i dha Pandevit një fanelë të sajën të personalizuar me emrin e tij.

Një pasardhës i denjë i Darko Pançevit, yllit maqedonas që shkëlqeu me Crvena Zvezdën e Jugosllavinë dhe fitoi gjithashtu Championsin në 1991 me beogradasit, Pandev është një monument në shtetin e vogël të Ballkanit. Ai ka shënuar gati 200 gola në karrierë, jo pak për rolin e tij si sulmues krahu, ndërsa ka luajtur gati 750 ndeshje. Në moshën 37-vjeçare ai do të vazhdojë të luajë në nivel klubi, ndërsa ka fituar Championsin, Serinë A, 4 Kupa të Italisë, Superkupën e Italisë, Kupën e Botës për klubet, Superligën e Turqisë, Kupën e Turqisë duke qenë 5 herë lojtari i vitit në Maqedoni.

Sfidanti.al