Prag Angli-Çeki, “tre luanët” të tronditur nga Kovidi, me dy lojtarë të izoluar!

Kualifikimin e ka siguruar, por qetësi nuk ka. Anglia është një nga kombëtaret më të stresuara të këtij Europiani, dhe e tillë është gjendja edhe në prag të ndeshjes së fundit në grup, sot në orën 21:00 ndaj Republikës Çeke. Futbollistët e saj, Mejzën Maunt dhe Ben Çiluell, janë detyruar të izolohen për 10 ditë pasi u konfirmuan si kontakte të lojtarit të Skocisë, Billi Gilmor, i cili doli pozitiv për koronavirus. Kjo do të thotë se dy lojtarët do të humbasin ndeshjen e sotme ndaj Çekisë në “Uembli”, por edhe sfidën e raundit të dytë.

Ky është një problem sepse Maunt ka qenë një nga më të mirët për anglezët në këtë Europian deri tani, ndërsa shqetësimi më i madh është për nivelin e lojës. Pas një suksesi bindës, edhe pse jo të shkëlqyer ndaj Kroacisë në nisjes, Anglia zhgënjeu kundër Skocisë duke barazuar 0-0, por duke u paraqitur më dobët sesa kundërshtari, dhe niveli fizik duket i dobët.

“Ne nuk kemi justifikime për lojën tonë, – u shpreh trajneri Garet Sauthgejt, – ne kemi detyrë të kënaqim publikun në “Uembli” pavarësisht se kundër kujt luajmë. Ne e dimë se prej nesh pritet shumë dhe kjo është normale. Ndaj nesh ka kërkesa, dhe është e kotë që të ankohemi. Ne po luajmë për Anglinë në “Uembli” në një turne të madh”.

Edhe Zhoze Murinjo, tashmë në rolin e analistit, është përfshirë në diskutimet për kombëtaren e “tre luanëve”. Trajneri i shquar portugez, sot me Romën në Itali, e ka këshilluar Sauthgejtin që të heqë nga formacioni Fodenin, Filipsin dhe Mauntin, dhe të aktivizojë si titullarë në vend të tyre, Grelishin, Rashfordin dhe Belinghamin.

Republika Çeke, ndërkaq, është në krye të grupit bashkë me Anglinë, gjithashtu e kualifikuar, por një barazim do të bënte të linin pas anglezët, e duke ia bërë shortin më të lehtë në vazhdim. Kjo ia vështirëson detyrën vendasve, pasi u duhet vetëm fitorja, ndërsa çekët luajnë për dy rezultate.

Në ndeshjen tjetër të grupit D përballen Kroacia dhe Skocia gjithashtu në orën 21:00. Kroatët kanë dizavantazhin që luajnë në fushën e skocezëve në Gllazgou, ndërsa edhe në rast fitoreje duhet të presin rezultatin e Angli-Çeki, si dhe rezultatet e ndeshjeve në grupet e tjerë. Nënkampionët e botës rrezikojnë eleminimin që do të ishte një e papritur e madhe në Europian.

Sfidanti.al