Nuk është ndonjë lojtar me shtatlartësi të jashtëzakonshme, sepse metri e nxjerr “vetëm” 1.96 metra, ndërsa peshorja 93 kg. Në përmasat e Majkëll Xhordanit, Devin Buker, dëshiron t’i ngjajë legjendës së NBA-së edhe për suksesin në fushë dhe mund të thuhet se po përpiqet dhe se është në rrugë të mbarë. Buker shënoi 40 pikë dhe realizoi tripëll dabëllin e parë në karrierë, ndërsa 24-vjeçari udhëhoqi Feniks Sansin në fitoren e parë në Finalen e parë të Konferencës Perëndimore ndaj Los Anxhelos Klipersave.
Po flasim për basketbollistin që është bërë më i riu në historinë e NBA-së që shënon mbi 60 pikë në ndeshjen (70), dhe më i riu që realizoi dy ndeshje radhazi me të paktën 50 pikë. Në sfidën në Feniks ndaj Klipersave, ai pati edhe 13 topa në tabela e 11 asistë, ndërsa vendasit tejkaluan mungesën e madhe të Kris Polit për të fituar 120-114. “Nuk e di se përse habiteni prej tij, – tha shoku i skuadrës, Xhej Krauder, – ai është mëse i aftë që të bëjë gjëra të tilla. Ai është gati, ai përgatitet si pakkush në botë”. Natyrisht, edhe Klipersat patën mungesën e madhe të Kauai Leonardit, ndërsa Pol Xhorxh shënoi 34 pikë e Rexhi Xhekson 24.
Sfidanti.al